Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i pafund. E lodhur pudra mbi fytyrën tënde. I mpirë është gëzimi, thua s'ngjallet dot. Apo si ai q'u dergj nga një lëngatë e gjatë. S'do mëkëmbet kurrë ashtu siç qe?
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i ftohtë ish. Në pusin e ndërgjegjjes mezi ndihen Tinguj kambanash si rënkim të mbyturish. Ato gjithashtu vdiqën, dot s'i ngjall, Sa gjëra u vyshkën, më e keqe se vetë vdekja Ish vyshkja e tyre e ngadaltë, o zot.
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i pashpresë ish. Kinezët që s'duken më në udhëkryqë rrugësh Por vetë ata s'kanë vdekur: qelqe dritaresh Të stilit q'ata sollën vezullojnë ngriraz Duke dërguar ftohtësinë e tyre Mbi mijëra fytyra si prej maske kalimtarësh
Sa kohë vallë do ti duhet Genit të racës atë maskë të shpëlajë. Apo në luftën e maskës me lëkurën Maska do të fitojë më në fund?
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i acartë ish, Mbi varrin e tiranit monoton Shiu po bie. Ka gjumë a s'ka nën dhè?
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i vrerosur ish. E lodhur pudra mbi fytyrën tënde. Nën pluhur tempujsh, i lodhur shpirti im.
|