Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë Sonte, kur po kthehesha me autobuz, Tymi i cigares "Partizani" që pinte dikush Dridhej, kaltëronte bënte spirale, Sikur të fshehta më thosh me gjuhën e shqiptarëve Mua bashkëatdhetarit
Të shikoj dua mbrëmjes në rrugët e Tiranës, Ku kam bërë dikur ndonjë marrëzi. Dhe në rrugët ku s'kam bërë marrëzi. Me njohin ato porta të vjetra të drunjta, Inatin akoma do ta mbajnë, Kokën do ta tundin, Po unë s'do ta marr për keq, Se malli më ka marrë.
Dhe t'eci rrugicave plot gjethe të thara Gjethe të thara gjethe vjeshte, Për të cilat krahasimet gjenden aq lehtë.
Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë; Për atë qiell të madh, të gjerë e të thellë, Për vrapin e kaltër të dallgëve adriatike Për retë që në muzg si kështjella digjen, Për alpet mjekërbardha e mjekërgjelbra, Për netët e najlonta që nga flladet fërgëllojnë, Për mjegullat që si indianë të kuq muzgjeve shtegtojnë.
Për lokomotivat e kuajt, Që të djersitur avullojnë e hungërojnë, Për qiparisat, kopetë, e varret Malli më ka marë, malli më ka marë, për shqiptarët.
Më ka marë malli e së shpejti vij atje Duke fluturuar mbi mjegullat si mbi dëshira, Sa i largët, aq edhe i dashur je, Atdhe.
Aerodromi do të dridhet nga uturima Mjegulla do të rrijë pezull mbi humnera. Ata që shpikën shpejtësinë reaktive Larg Atdheut sigurisht do të kenë qenë ndonjëherë.
|