|
Ishte një ditë Që pellasgjitë Posi një dritë Mbuluan dhenë Duall ng' Asia Si mizëria Dhe me ania E hodhë denë.
Pas pakë herë, Duke përzjerë Ca me të tjerë, Bënë elinët, Dhe duke ndarë Syresh një farë, Si ka të ngjarë, Bëri llatinët.
Edhe të tjerët E më të ndjerët, Të papërzjerët, Pellasgjinj mbenë Maqedhoninjtë E ilirinjtë E mollosinjtë, Gjith' ata qenë.
Dhe ata janë Prindërtë tanë, Pastaj na thanë Na shqipëtarë Mundim të themi Ne ata jemi, Atë gjak kemi, Si dhe shtyparë.
Thot' Herodoti, Në Tomor zoti Shtëpi qëmoti Kishte Dhodhonë Eshtë m'e vjetër Ngaha çdo tjetër, Shumë më tepër, Kjo gjuha jonë.
Ne kurdoherë Burra të ndjerë Edhe të vlerë Jemi treguar; Me grekërinë Dhe me Persinë, Me gjith' Asinë Kemi lëftuar.
Me Lekën vamë, Muntmë Daranë, Datën i dhamë Gjithë Asisë Burr' u dëftyem, Të gjith' i thyem, Përmbys e kthyem Fron' e Persisë.
Të tërë dhenë, Den' e sterenë, Sa kombe qenë Në këmb i vumë Dhe mbretëruam Kudo që shkuam, Tekdo lëftuam, Vëndin e zumë.
Me Pirron vamë Romës i ramë, Llatint' i vramë E i tmeruam; Me Skënderbenë Tyrqve sa qenë U dhamë dhenë Dhe i dëbuam.
Kush i goditi Posi petriti E i cfiliti Tyrqit, barbarët? Bota s'kuxonte Që t'u qëndronte, Po kush lëftonte? Ne shqipëtarët.
Pastaj u ndruam, Se s'kupëtuam Dhe nuk e çquam Të mirën tënë Gjaknë për botë E derthmë kotë, Njeri ç'të thotë? Nuk ishte thënë!
Mbajtmë Tyrqinë, Ngjallmë Greqinë, Ndihm' Italinë. Po Shqipërinë? Pse s'u munduam? Për kë lëftuam? Neve ç'fituam? Ç'kemi taninë?
|